Skepticizëm për planin kinez për dhënien fund të konfliktit ruso-ukrainas
atsh
Zyrtarët e lartë të BE-së dhe NATO-s dhe vëzhguesit kinezë reaguan me skepticizëm ndaj dokumentit të shumëpritur të pozicionit të Pekinit për luftën ruso-ukrainase, në të cilin ai bëri thirrje për një armëpushim midis dy palëve.
”Konflikti dhe lufta nuk i sjellin dobi askujt”, deklaroi Kina zyrtare në dokumentin 12-pikësh, të caktuar për të përkuar me njëvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës fqinje.
“Të gjitha palët duhet të qëndrojnë racionale dhe të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin ndezjen e zjarrit dhe përkeqësimin e tensioneve dhe të parandalojnë që kriza të përkeqësohet më tej apo edhe të dalë jashtë kontrollit”, thuhet në dokument.
Por diplomatët dhe ekspertët kanë reaguar me skepticizëm dhe zhgënjim, pasi dokumenti 12-pikësh nuk zbuloi ndonjë nismë të re.
Gjithashtu u theksua se ”Kina nuk është neutrale dhe nuk e ka dënuar ende pushtimin e Rusisë deri më sot”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të një gazetari se pse Kina nuk i ka bërë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.
Ai tha se ”Kina mund të luajë një rol konstruktiv”, por nuk shprehu perspektivën se ”Pekini mund të ndërmjetësojë konfliktin”.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg reaguan me kujdes ndaj letrës së pozicionit të Kinës.























