Turqia vazhdon ta kundërshtojë anëtarësimin e Suedisë në NATO
BKT
Rajoni dhe Bota

Turqia vazhdon ta kundërshtojë anëtarësimin e Suedisë në NATO

Përktheu: M.Miftari/RTKlive

Të hënën, ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se negociatat midis Finlandës, Suedisë dhe Turqisë do të rinisin më 9 mars.

Turqia thotë se bisedimet e NATO-s me Suedinë dhe Finlandën do të vazhdojnë më 9 mars, sipas agjensisë së lajmeve AFP.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në javën e shkuar se negociatat e NATO-s midis Turqisë, Suedisë dhe Finlandës do të vazhdojnë në mes të marsit. Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha gjithashtu se Turqia kishte konfirmuar fillimin e negociatave të reja në mars.

Tani data për rinisjen e negociatave duket të jetë konfirmuar.

"Takimi do të bëhet në 9 mars," tha ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu në një konferencë shtypi, sipas AFP.

Të hënën, megjithatë, Turqia shprehu përsëri qëndrimin e saj negativ ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO, njoftoi gazeta turke Hürriyet Daily News.

Ministri i Jashtëm Çavuşoğlu deklaroi, gjithashtu, se Turqia mund të ratifikojë më vete anëtarësimin e Finlandës.

"Këto dy vende janë të angazhuara për t'u bashkuar me NATO-n. Ne nuk mund t'i themi 'po' anëtarësimit të Suedisë në NATO, derisa të shohim përmbushjen e këtyre angazhimeve," tha Çavuşoğlu në një konferencë shtypi në Ankara, njoftojnë mediet turke.

"Presidenti ynë ka thënë haptazi se jemi më pozitivë rreth anëtarësimit të Finlandës. Ne mund të dallojmë dhe konfirmojmë rastet e tyre [finlandeze dhe suedeze]. Por është e pamundur për ne të pranojmë aplikimin e Suedisë, derisa ata të përmbushin angazhimet."

Turqia njoftoi rreth një javë më parë se negociatat e anëtarësimit me Suedinë dhe Finlandën do të rinisnin në mars.

Negociatat e anëtarësimit në NATO midis Finlandës dhe Suedisë bënë një hap prapa në fillim të vitit kur  ekstremisti Rasmus Paludan dogji librin e shenjtë mysliman, Kuranin, përpara ambasadës turke në Suedi, më 21 janar.

Turqia njoftoi atëherë se nuk do të binte dakord me tryezën negociuese me Finlandën dhe Suedinë. Turqia, përveç Hungarisë, është i vetmi nga 30 vendet anëtare të NATO-s që nuk ka ratifikuar ende anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, të cilat paraqitën kërkesat e tyre në majin e kaluar. Hungaria, gjithashtu, e ka shtyrë rastin në mënyrë të përsëritur.

Javën e shkuar, Gergely Gulyás, sekretari i përhershëm i Kryeministrit hungarez, Viktor Orbán, tha se votimi mbi ratifikimin e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO në Parlamentin hungarez, mund të zvarritet deri në fund të marsit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota