Presidenti leton: Ëndrra për një Rusi demokratike, iluzion i Perëndimit
REL
Prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, një vit më parë, tri vendet baltike - Letonia, Lituania dhe Estonia - kanë qenë ndër më të zëshmet që kanë dënuar agresionin e paprovokuar të Moskës dhe ndër të parat që i kanë ofruar mbështetje Kievit.
Presidenti i Letonisë, Egils Levits, ka qenë udhëheqësi i parë botëror që ka qëndruar një natë në Kiev, në prill të vitit të kaluar, kur të tjerët kanë hezituar të udhëtojnë në Ukrainë.
Në një intervistë për Shërbimin e Gjeorgjisë të Radios Evropa e Lirë, Levits, 67 vjeç, thotë se një gjykatë për krimet e luftës në Ukrainë duhet të krijohet sa më shpejt që është e mundur.
Sipas tij, rruga e Ukrainës drejt BE-së është e pashmangshme, edhe pse do të jetë ndoshta e vështirë.
Ai, po ashtu, thotë se Perëndimi është zënë në befasi nga pushtimi rus, pjesërisht për shkak të “iluzioneve” që ka pasur për Rusinë, pas Luftës së Ftohtë.























