Scholz: Optimist për arritjen e marrëveshjes së subvencioneve BE-SHBA
BKT
Rajoni dhe Bota

Scholz: Optimist për arritjen e marrëveshjes së subvencioneve BE-SHBA

ATSH-DPA

Kancelari gjerman, Olaf Schoz rriti shpresat për një kompromis të mundshëm mbi subvencionet e diskutueshme të teknologjisë së pastër përpara një takimi BE-SHBA sot në Uashington.

Scholz tha se “ka shanse të mira” për një marrëveshje për kushtet e pranimit të Aktit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Reduktimin e Inflacionit (IRA).

“Kjo do të siguronte që produktet e prodhuara në Gjermani, ose në një vend tjetër të Evropës, të mos shihen më skeptikisht, krahasuar me mallrat e prodhuara në Kanada”, tha Scholz duke iu referuar një dispozite të diskutueshme të tregtisë së lirë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pritet të takohet me presidentin e SHBA-së, Joe Biden për të diskutuar luftën në Ukrainë dhe për të siguruar furnizime të reja të lëndëve të para, të rëndësishme për Bashkimin Evropian.

Von der Leyen po ndjek gjithashtu zhvillimet në lidhje me qasjes e BE-së në dispozitat e subvencioneve në IRA.

Paketa masive e subvencioneve dhe uljes së taksave për teknologjinë e pastër në SHBA nxiti shqetësime nga ana e BE-së, pasi industritë evropiane mund të zhvendosen për të përfituar.

Bisedimet SHBA-BE për të gjetur një zgjidhje po zhvillohen që nga tetori 2022. Komisioni Evropian pritet të japë përgjigjen e tij kundrejt IRA-s, ndërsa disa vëzhgues janë të shqetësuar nga një luftë e mundshme subvencionesh.

Një mollë sherri për BE-në është lehtësimi i taksave në SHBA për automjetet elektrike. Megjithatë, Departamenti i Thesarit në SHBA ka liri veprimi kur bëhet fjalë për automjetet e pranueshme, të cilat mund të jenë në interes të industrisë evropiane.

Në një deklaratë Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni shpreson që pas takimit me Von der Leyen të nisin negociatat për mineralet e rëndësishme dhe bisedimet rreth transparencës në mbështetjen e subvencioneve.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota