Zhduken 2.5 tonë uranium natyror në Libi
Rajoni dhe Bota

Zhduken 2.5 tonë uranium natyror në Libi

VOA

Rreth 2.5 ton uranium natyror që ndodheshin në një depo në Libi janë zhdukur, tha të enjten agjencia e OKB-së për energjinë bërthamore, duke ngjallur shqetësim për sigurinë dhe përhapjen e armëve.

Uraniumi natyror nuk mund të përdoret menjëherë për prodhimin e energjisë ose bombave, pasi metali duhet t’i nënshtrohet procesit të pasurimit nëpër centrifuga për të arritur nivelet e nevojshme.
Megjithatë, nga një ton uranium natyror, sipas ekspertëve, mund të përftohet deri në 5.6 kilogramë material për armë, nëse minerali bie në duart e një grupi me mjetet dhe burimet e duhura teknologjike. Kjo e bën të rëndësishme mungesën e kësaj sasie minerali.
Në një deklaratë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike me qendër në Vjenë tha se drejtori i përgjithshëm i saj, Rafael Mariano Grossi, informoi vendet anëtare të mërkurën për uraniumin e humbur.
Gjithsesi deklarata e agjencisë nuk jepte shumë detaje.
Të martën, "inspektorët e agjencisë zbuluan se 10 depozita që përmbanin afërsisht 2.5 ton uranium natyror në formën e koncentratit të mineralit të uraniumit nuk gjendeshin siç ishte deklaruar më parë në një objekt në shtetin e Libisë," tha Agjencia e Energjisë Bërthamore. "Agjencia do të kryejë aktivitete të mëtejshme për të sqaruar rrethanat e zhvendosjes së materialit bërthamor dhe vendndodhjen e tij aktuale."

 

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota