Kryeministri spanjoll vizitë zyrtare në Kinë javën e ardhshme
Rajoni dhe Bota

Kryeministri spanjoll vizitë zyrtare në Kinë javën e ardhshme

RTSH

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Kinë javën e ardhshme. Kryeministri spanjoll bëri me dije se do të takohet me udhëheqësin Xi Jinping, dhe në fokus të kësaj vizite do jetë përforcimi i marrëdhënieve dypalëshe në kuadër të 50-vjetorit të marëdhëneve diplomatike mes Madridit dhe Pekinit, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe synimet e presidencës spanjolle të BE në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Sanchez tha se ai do të trajtojë në mënyrë specifike çështjet e paqes, sipas kushteve të Kievit, dhe integritetit territorial të Ukrainës.

"Kjo do të thotë respektim i kartës së OKB-së për të drejtat e njeriut, në lidhje me integritetin territorial që po shkelet nga Rusia, në këtë rast në Ukrainë," u tha ai gazetarëve ndërsa mbërriti për një takim të Këshillit Evropian në Bruksel. "Dhe logjikisht do të jenë vetë ukrainasit ata që do të krijojnë kushtet për fillimin e atij dialogu të paqes që logjikisht do të duhet të ndodhë", tha ai, raporton CNN.

Kryeministri spanjoll tha se ishte mirënjohës për ftesën e Presidentit Xi dhe iu referua Kinës si "një aktor global i rendit të parë", duke shtuar se ishte e rëndësishme të dëgjohej këndvështrimi i Pekinit.

Pekini është përpjekur të pozicionohet si ndërmjetës i paqes në konflikt, pavarësisht marrëdhënieve në rritje me Rusinë. Xi u largua nga Moska të mërkurën pasi u zotua të thellojë lidhjet me presidentin Vladimir Putin gjatë një vizite shtetërore tre-ditore. Bisedimet e tyre dështuan për të arritur një përparim në Ukrainë.

Tre temat që do trajtohen në takimin Sanchez-Jinping:

Përforcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe festimi i 50 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Madridit dhe Pekinit.

Synimet e presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Stabiliteti dhe paqja e qëndrueshme në Ukrainë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota