Sindikatat thërrasin protesta të reja: Qeveria të heqë ndryshimet e pension
RTSH
Më shumë se 1 milion njerëz morën pjesë në protestat në Paris dhe qytete të tjera franceze për të kërkuar që qeveria të heqë ndryshimet e pensioneve. Shumica e francezëve kundërshtojnë projektligjin e presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç, për të cilin ai thotë se është i nevojshëm për të mbajtur të financuara arkat e pensionit, raporton Associated Press.
Protestat u mbajtën një ditë pasi presidenti Macron zemëroi më tej kritikët e tij duke qëndruar i vendosur në projektligjin e pensionit që qeveria e tij solli në parlament pa votim.
Grevat ndërprenë udhëtimet ndërsa protestuesit bllokuan stacionet e trenave, aeroportin Charles de Gaulle në Paris, rafineritë dhe portet.
Policia, e goditur nga objekte dhe fishekzjarre, sulmoi disa herë dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Protestat mbarëkombëtare të së enjtes (23 mars) ishin demonstratat e nënta të organizuara nga sindikata që nga janari, kur kundërshtarët ende shpresonin se parlamenti do të refuzonte masën e Macron për të rritur moshën e daljes në pension.
Ndërkohë, Macron refuzoi të tërhiqet nga vendimi duke argumentuar se ligji i ri për rritjen e moshës së pensionit është i nevojshëm për të mbajtur të financuara arkat e pensionit.
Kundërshtarët propozuan zgjidhje të tjera, duke përfshirë taksa më të larta për të pasurit ose kompanitë, të cilat Macron thotë se do të dëmtonin ekonominë. Ai këmbënguli se projektligji i qeverisë për rritjen e moshës së pensionit duhet të zbatohet deri në fund të vitit.