Millatoviq premton se do të jetë president i të gjithëve
RTMZ
Në Mal të Zi, është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga shoqatat joqeveritare që kanë monitoruar zgjedhjet, kandidati i lëvizjes “Evropa Tani”, Jakov Millatoviq, ka fituar rreth 60 për qind të votave, kurse presidenti i deritashëm e kandidati i PDS, Millo Gjukanoviq 40 % të votave të atyre që kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar.
Ndërkohë, edhe vetë kandidatët, janë deklaruar lidhur me rezultatin e arritur, ashtu që Gjukanoviq duke pranuar vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë, ka përgëzuar fituesin e zgjedhjeve duke uruar që të jetë i suksesshëm në funksionin e kreut të shtetit, për një të ardhme më të mirë për Malin e Zi.
Kurse, fituesi i zgjedhjeve presidenciale, Jakov Millatoviq, duke u shprehur i kënaqur me rezultatin e arritur, pohoi se do të jetë president i të gjithë qytetarëve dhe premtoi se në mandatin e ardhshëm pesëvjeçarë Mali i Zi, do të bëhet anëtar i BE.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, pjesëmarrja e votuesve ishte mjaft e lartë, respektivisht diçka mbi 70% të trupit të përgjithshëm zgjedhor prej rreth 540 mijë zgjedhës të regjistruar.
Hapat e Jakov Millatoviqit, si president i ri i Malit të Zi, do të mund të vlerësohen vetëm pas zgjedhjeve parlamentare, konkretisht bashkëpunimit të tij me Qeverinë e re, vlerësoi drejtoresha ekzekutive e Qendrës për tranzicion demokratik, Milica Kovaçeviq.
Ajo, tha se shumica parlamentare e përdori këtë situatë për të matur vullnetin e popullit dhe në bazë të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale ditëve në vijim të negociojnë dhe të bëjnë koalicione.
Analisti politik Millosh Beshiq, konsideron se fitorja bindëse e Jakov Millatoviqit, nënkupton pritje të madhe të qytetarëve, të cilët e votuan në numër të madh për shkak të programit ekonomik “Evropa tani”. Ai, thekson se këto zgjedhje presidenciale kanë konfirmuar një skemë të re politike, ku përparësi duhet të kenë temat ekonomike.























