Trump për herë të dytë në Prokurori, këtë herë për mashtrim me bankat
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump për herë të dytë në Prokurori, këtë herë për mashtrim me bankat

RTSH

Ish-Presidenti, Donald Trump, mbërriti të enjten në zyrat e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut, për përballjen e tij të dytë ligjore, mbi praktikat e biznesit të kompanisë së tij. Ai shoqërohej nga avokatja e tij, duke sinjalizuar se këtë herë ai synon t`u përgjigjet pyetjeve, në vend që të përdorë Amendamentin e Pestë që lidhet me mbrojtjen kundër vetëinkriminimit.

“Presidenti Trump jo vetëm që është i gatshëm, por edhe i etur që të dëshmojë para Prokurorit të Përgjithshëm sot”, tha avokatja e tij, Alina Habba, në një deklaratë. 

“Ai mbetet i vendosur në qëndrimin e tij se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se mezi pret të flasë me Prokurorin e Përgjithshëm për suksesin e jashtëzakonshëm të kompanisë së tij shumë miliardë dollarëshe.”- tha ajo.

Republikani fillimisht u takua me avokatët e Prokurores së Përgjithshme Letitia James, e cila e paditi Trump vitin e kaluar. 

Padia e saj pretendon se Trump dhe familja e tij mashtruan bankat dhe bashkëpunëtorët e biznesit duke u dhënë atyre informacione të rreme për vlerën e tij neto dhe vlerën e aseteve të tilla si hotelet dhe fushat e golfit.

Padia nuk ka lidhje me akuzat penale për krime të ngritura kundër Trump nga prokurori i qarkut të Manhattanit, që çoi javën e kaluar në akuzën  historike për inkriminim, e para për një ish-president.

Në një postim në mediat sociale të enjten në mëngjes, Trump e quajti padinë "qesharake, ashtu si të gjitha paditë e tjera, lidhur me ndërhyrjen në zgjedhje, që u ngritën kundër meje". Apnews.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota