Publikimi i dokumenteve sekrete të Pentagonit: 21 vjeçari del sot në gjyq
Vlora Rrustemi /RTK
Një 21-vjeçar amerikan do të dalë sot në gjykatë në lidhje me publikimin e dokumenteve të klasifikuara ushtarake në lidhje me luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera të sigurisë kombëtare.
Jack Teixeira u arrestua nga FBI të enjten në shtëpinë e familjes së tij në Dighton, zonë rurale e Massachusetts.
I veshur me pantallona të shkurtra dhe një bluzë, ai u arrestua nga agjentë të armatosur rëndë.
Teixeira punonte si specialist i IT-së në krahun e inteligjencës së Gardës Kombëtare të Massachusetts.
Ai është identifikuar si drejtuesi i një grupi në internet ku edhe dolën dokumentet për herë të parë.
Dhjetra dokumente të publikuara nxorën në pag vlerësimet e SHBA-së për luftën në Ukrainë, si dhe sekrete të ndjeshme rreth aleatëve amerikanë, duke vënë kështu në siklet Uashingtonin dhe duke ngritur pyetje të reja mbi sigurinë e informacionit të klasifikuar.
21 vjçari akuzohet për heqje dhe publikim të paautorizuar të informacionit të klasifikuar. Teixeira do të paraqitet në gjykatë në Boston, Massachusetts më vonë të premten.























