UEFA e FIFA në vizitë të jashtëzakonshme, vlerësojnë situatën rreth FFK-së
B. H. / RTKlive
Një delegacioni i përbashkët i UEFA-s dhe FIFA-s, i përbërë nga personalitete të rëndësishme si Servet Yardimci, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe kryetar i Komitetit të UEFA-s për Federatat Kombëtare, Luca Nicola, kryesues i Qeverisjes Kombëtare dhe Institucioneve Globale të UEFA-s dhe Sofia Malizia, menaxhere e qeverisjes së federatave anëtare të FIFA-s, po qëndron sot për vizitë në Kosovë.
Sipas njoftimit të FFK-së, ata po qëndrojnë në vendin tonë për t'u njoftuar nga afër me zhvillimet e fundit rreth FFK-së, procesin e licencimit nga MKRS dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohen klubet e futbollit.
“Delegacioni fillimisht u takua me nënkryetarin Bakir Burri dhe sekretarin e përgjithshëm, Taulant Hodaj, derisa më pas zhvilluan një takim të përbashkët edhe me përfaqësuesit e klubeve, për të diskutuar shqetësimet e këtyre të fundit në lidhje me procesin e licencimit dhe vështirësitë që po i hasin gjatë këtij procesi. Përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s i dëgjuan me vëmendje të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e klubeve, premtuan se do t'i adresojnë ato në organet kompetente dhe me angazhimin e përbashkët të të gjitha palëve shumë shpejt mund të ketë rezultate pozitive në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e shtëpisë së futbollit kosovar.
Tutje në njoftim është bërë e ditur se delegacioni i UEFA-s dhe FIFA-s i ka vazhduar takimet edhe me akterët tjerë të sportit në Kosovë, siç është theksuar “po ashtu në frymën e bashkëpunimit dhe konstruktivitetit”.
Ndërkohë, RTK merr vesh se pas takimeve në FFK, delegacioni i përbashkët i UEFA-s dhe FIFA-s është pritur edhe nga ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, e ku i pranishëm ka qenë edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Taulant Hodaj.
Çështja e licencimit të FFK-së është temë në komunitetin sportiv dhe atë mediatik tash e disa muaj. Si pasojë e zvarritjes së këtij procesi klubet e futbollit kanë humbur mundësinë e përfitimit nga Ligji i Sponsorizimit.
Në takimin e fundit të përbashkët që ministri i Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryesuesi i Komisionit Vlerësues për licencimin e federatave, Fidan Shatri, patën me drejtuesit e FFK-së dhe përfaqësuesit e klubeve u la të kuptohet se kanë mbetur të plotësohen vetëm disa detaje të vogla në dokumentacionin e klubeve para se MKRS të japë përfundimisht licencën edhe për federatën më të madhe sportive në vend.
Krahas zvarritjes së procesit të licencimit, FFK së fundmi është ballafaquar edhe hetimet që është duke i kryer prokuroria e shtetit rreth pretendimeve për keqpërdorime dhe shmangie të tatimit. Si rrjedhojë, kreu i FFK-së, Agim Ademi ndodhet në arrest shtëpiak, derisa disa anëtarë të KE-së po ashtu janë marrë në pyetje nga hetuesia.























