Personeli i Ambasadës amerikane evakuohet nga Sudani
BKT
Rajoni dhe Bota

Personeli i Ambasadës amerikane evakuohet nga Sudani

RTK

Diplomatët amerikanë dhe familjet e tyre janë evakuar nga kryeqyteti i Sudanit Khartoum, njofton presidenti Joe Biden.

Ushtria amerikane evakuoi personelin e qeverisë amerikane nga Khartoumi, ka njoftuar presidenti Joe Biden të shtunën, duke shtuar se Uashingtoni po pezullon operacionet në ambasadën e tij atje ndërsa luftimet mes komandantëve rivalë të Sudanit vazhdojnë.

?Kjo dhunë tragjike në Sudan tashmë ka kushtuar jetën e qindra civilëve të pafajshëm?, tha Biden në një deklaratë duke shtuar se "është e pandërgjegjshme dhe duhet të ndalet."

Në një tjetër deklaratë, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka thënë se "i gjithë personeli amerikan dhe vartësit e tyre" janë evakuuar në mënyrë të sigurt dhe se SHBA do të vazhdojë të ndihmojë amerikanët në Sudan në planifikimin për sigurinë e tyre.

Operacioni, i cili përfshinte gjashtë aeroplanë, u krye në koordinim me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë të Sudanit (RSF) paraushtarake, tha RSF.

Aeroplanët amerikanë hynë dhe dolën në Sudan pa asnjë problem, ka deklaruar një zyrtar ushtarak amerikan, duke shtuar se i gjithë personeli i qeverisë amerikane u evakuua nga ambasada.

Shtetas të tjerë të huaj filluan evakuimin nga një port i Detit të Kuq në Sudan të shtunën. Lufta e përgjakshme urbane ka bllokuar një numër të madh të huajsh në kryeqytetin sudanez, duke çaktivizuar aeroportin dhe duke i bërë disa rrugë të pakalueshme.

OKB-ja dhe shtetet e huaja u kanë kërkuar udhëheqësve ushtarakë rivalë të respektojnë armëpushimet e shpallura që kryesisht janë injoruar, dhe të hapin një kalim të sigurt për civilët që ikin dhe furnizimin me ndihma shumë të nevojshme.

Rrëshqitja e papritur e Sudanit në luftë prishi planet për të rivendosur sundimin civil, e solli një vend tashmë të varfër në prag të katastrofës humanitare dhe po kërcënon me një konflikt edhe më të gjerë që mund të tërheqë fuqitë e jashtme, katër vjet pas përmbysjes së autokratit afatgjatë Omar al-Bashir në një kryengritje popullore.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota