Granit Xhaka ia dërgon fanellën e Arsenalit kryetarit të FFK-së
Uran Krasniqi / RTKLive
Granit Xhaka ia ka nënshkruar dhe ia ka dërguar Agim Ademit fanellën e tij të Arsenalit.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka njoftuar se të mërkurën ka pritur Ragip Xhakën, babain e futbollistit të klubit anglez dhe të Kombëtares së Zvicrës.
Sipas Ademit, ai ka marrë mbështetje nga mysafiri i tij për punën e bërë.
"Sot në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës prita një mysafir të veçantë - Ragip Xhakën, babanë e një prej futbollistëve më të shquar të Arsenalit dhe të Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka. Me kënaqësi të madhe e pranova fanellën e Granitit me nënshkrimin e tij, të cilën do ta ruaj si një dhuratë të çmuar në koleksionin tim të futbollit. Ragipi më përgëzoi për punën e deritanishme në krye të FFK-së dhe shprehu shpresën që Kosova do të arrijë kualifikimin në Kampionatin Evropian së bashku me Zvicrën. Me këtë rast, Granitit i dërgova urimet më të mira, duke shprehur shpresën që sivjet do të arrijë ta fitojë titullin e kampionit me Arsenalin në Ligën Premiere dhe do të vijojë të shkëlqejë në fushën e futbollit edhe për shumë vjet", ka shkruar Ademi. "Familja Xhaka ka qenë dhe mbetet simbol i vlerave dhe atdhedashurisë, teksa Graniti është promovues i jashtëzakonshëm i vlerave të Kosovës dhe frymëzues për të rinjtë në mbarë botën për të ndjekur ëndrrat e tyre në futboll".























