Pence dëshmon para jurisë së madhe në procesin hetimor ndaj zotit Trump
VOA
Ish-nënpresidenti Mike Pence doli para jurisë së madhe që po heton rolin e ish-presidentit Donald Trump në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020.
Më herët, televizionet ABC News dhe NBC News njoftuan se zoti Pence qëndroi në Gjykatën e qarkut të Uashingtonit për më shumë se shtatë orë.
Nuk është ende e qartë se çfarë mund të ketë deklaruar para jurisë së madhe zoti Pence, i cili është zyrtari më i lartë i administratës së zotit Trump që thirret për të dëshmuar para jurisë. Avokatët e zotit Pence nuk dhanë asnjë koment.
Dalja para jurisë së madhe e ish-nënpresidentit vjen në një kohë kur ai po shqyrton mundësinë për të sfiduar zotin Trump për të fituar emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të 2024.
Ndaj zotit Trump, i cili ka shpallur kandidaturën për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, u ngritën akuza penale në Nju Jork lidhur me pagesat e bëra në këmbim të heshtjes lidhur me akuzat për marrëdhënie jashtëmartesore me dy gra.
Rrjeti CNN tha të mërkurën se gjykata hodhi poshtë kërkesën e zotit Trump për të bllokuar dëshminë e zotit Pence.
Sipas agjencisë Associated Press, zoti Trump po mbante një fjalim në Nju Hemshër kur u publikua lajmi për dëshminë e zotit Pence.
I pyetur në një restorant nëse ishte i shqetësuar për këtë, zoti Trump u përgjigj, “Jo nuk jam dhe nuk kam asnjë dijeni për dëshminë”.
Në fillim të këtij muaji, zoti Pence tha se ai nuk do të apelonte vendimin e një gjyqtari që kërkonte që ai të dëshmonte para jurisë së madhe federale për bisedat që kishte zhvilluar me zotin Trump përpara sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
“Do t’i bindemi ligjit dhe do të tregojmë të vërtetën”, tha zoti Pence në një intervistë për CBS News që u transmetua të dielën. “Të njëjtën histori që u kam treguar amerikanëve në gjithë vendin, që e kam shkruar në librin tim të kujtimeve, po atë do të tregoj edhe kur të dal para jurisë”, tha ai.
Prokurori i posaçëm Jack Smith po drejton hetimet mbi përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, përfshirë një komplot për të hartuar lista votuesish të rremë për të bllokuar Kongresin që të certifikonte fitoren e demokratit Joe Biden.
Zoti Smith po udhëheq po ashtu edhe një tjetër hetim, të Departamentit të Drejtësisë, mbi çështjen nëse ish-presidenti Trump mori në mënyrë të paligjshme dokumente të klasifikuara pas mbarimit të mandatit, në rezidencën e tij në Mar-a Lago të Floridës.
Nuk është ende e qartë se kur pritet të mbyllen hetimet për të dyja rastet, si dhe nëse do të ngrihen akuza për çështjet.























