Sot nisin bisedimet e paqes për Sudanin
RTK
Arabia Saudite do të jetë të shtunën nikoqire e bisedimeve për paqe ndërmjet palëve ndërluftuese të Sudanit.
Deri tash, disa marrëveshje për armëpushim nuk janë respektuar. SHBA dhe Arabia Saudite kanë mirëpritur një fillim, siç kanë thënë, të paranegociatave, që do të mbahen në Xhedah mes ushtrisë së Sudanit dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë.
Në deklaratën e përbashkët të qeverisë amerikane dhe të Arabisë Saudite thuhet se “I inkurajojmë të dy palët që të marrin parasysh interesin e Sudanit dhe popullit të saj dhe të angazhohen në mënyrë aktive në bisedime drejt një armëpushimi dhe përfundimi të konfliktit, që do të kursen vuajtjet e popullit sudanez dhe të siguron qasjen e ndihmave humanitare në zonat e prekura”.
Ushtria sudaneze, e cila ka konfirmuar nisjen e emisarëve për në Xhedah, ka thënë se qëllimi i këtyre bisedimeve janë çështjet humanitare, ndërsa Forcat e Mbështetjes së Shpejtë nuk kanë komentuar ende.
Gjatë tre javëve të luftimeve janë vrarë qindra persona, ndërsa janë zhvendosur rreth 450 mijë civil. Organizata Ndërkombëtare për Migrim ka thënë se 115 mijë nga këta të zhvendosur kanë kërkuar strehim në vendet fqinje.
Ndërsa zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder ka thënë se vetëm në 11 ditët e para të konfliktit, sipas shifrave zyrtare të institucioneve shëndetësore në Khartoum dhe Darfur, janë vrarë rreth 190 fëmijë dhe janë plagosur 1700.























