Shifra rekord të migrimit të brendshëm për shkak të konflikteve
BKT
Rajoni dhe Bota

Shifra rekord të migrimit të brendshëm për shkak të konflikteve

VOA

Sipas një raporti të publikuar të enjten nga Qendra e Monitorimit të Zhvendosjeve të Brendshme, deri në fund të vitit të kaluar, numri i personave të zhvendosur brenda vendeve të tyre në nivel global, arriti shifrën rekord prej 71,1 milionësh.

Të dhënat tregojnë një rritje prej 20% të numrit të të zhvendosurve krahasuar me vitin 2021.

Lufta në Ukrainë ishte ndër shkaqet kryesore nxitëse të zhvendosjes së brendshme. Sipas raportit, si pasojë e luftës u zhvendosën 17 milionë persona. Të tilla zhvendosje pati edhe për shkak të përmbytjeve masive në Pakistan, 8 milionë persona.

Në nivel botëror, dhuna dhe konfliktet ndikuan që deri në fund të vitit 2022, numri i të zhvendosurve brenda vendeve të arrinte në 62, 5 milionë persona.

Thuajse tre të katërtat e personave të zhvendosur në botë ishin në 10 vende, Siri, Afganistan, Republika Demokratike e Kongos, Ukrainë, Kolumbi, Etiopi, Jemen, Nigeri, Somali dhe Sudan.

“Ndërthurja e konflikteve dhe fatkeqësive vitin e kaluar ndikuan në thellimin e pabarazive të mëparshme dhe përkeqësimin e gjendjes së personave të ekspozuar ndaj rreziqeve, duke provokuar rritjen e numrit të të zhvendosurve në një nivel që nuk ishte regjistruar kurrë më parë”, tha Jan Egeland, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve, i cili themeloi Qendrën e Monitorimit të Zhvendosjeve të Brendshme.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota