Interi në finale të Championsit pas 13 vjetësh
B. Halimi | RTKlive
Skuadra e Interit është kualifikuar në finale të Ligës së Kampionëve, pasi edhe në ndeshjen e kthimit e ka mposhtur rivalin e përbetuar të qytetit, Milanin, me rezultat 1:0.
Skuadra e Simone Inzaghit iu gëzua fitores me golin e Lautaro Martinezit, në minutën e 74-t pas asistimit nga Lukaku, duke u kualifikuar në finale me rezultat të përgjithshëm pas dy ndeshjeve, 3:0.
Kësisoj, zikaltrit rikthehen në finalen e madhe të Championsit, e cila zhvillohet në Stamboll, pas plotë 13 vjetësh dhe tani e presin kundërshtarin nga dueli i nesërm ndërmjet Manchester Cityt dhe Real Madridit.
Atëbotë Interi kishte fituar nga Bayern Munichu, me rezultat 2:0, me dy golat e shënuar nga Diego Milito, në finalen e zhvilluar në “Santiago Bernabeu” në Madrid.
Lautaro shënon, veniten shpresat e Milanit
Interi ka kaluar në epërsi ndaj Milanit në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Lautaro Martinez ka shënuar në minutën e 74-t pas asistimit nga Lukaku.
Ky gol po thuajse i jep fund të gjitha shpresave të kuqezinjve për finale, ngase tani rezultati i përgjithshëm pas dy ndeshjeve është 3:0 në dobi të zikaltërve.
Mbyllet pa gola pjesa e parë, Inter – Milan
Është mbyllur pa gola pjesa e parë e ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndërmjet dy skuadrave nga qyteti i modës, Inter dhe Milan.
Skuadra e Stefano Piolit që nga fillimi u vërsul në kërkim të golit, duke pasur parasysh se ka deficit prej dy golave nga ndeshja e parë, por përkundër rasteve të krijuara nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës.
Mundësitë më të mira i patën Brahim Diaz, në minutën e 10-të dhe Rafael Leao, në minutën e 37-të.
Në anën tjetër, Interi luajti i përqendruar në mbrojtje, duke tentuar që kuqezinjtë t’i ndëshkojë përmes kundërsulmeve. Edhe zikaltrit patën disa mundësi të mira, por që Mike Maignan ishte në nivelin e duhur.
Gjithsesi, na presin edhe 45 minuta të zjarrtë, në të cilat Milani do të bëjë çmos për të shënuar gol.























