Mbi 100 laureatë të Nobelit kërkojnë lirimin e Byalyatskit
REL
Njëqindetre laureatë të Çmimit Nobel kanë nënshkruar një letër duke kërkuar lirimin e fituesit të Nobelit të Paqes për vitin 2022, bjellorusin Ales Byalyatski.
Aktivisti bjellorus për të drejtat e njeriut në këtë letër përshkruhet si simbol shprese dhe frymëzimi për kolegët në mbarë botën.
Apeli për lirimin e tij është publikuar në faqen e klubit ndërkombëtar PEN International.
Në letër theksohet se Byalyatski "ia kushtoi jetën e tij promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Bjellorusi" duke "guxuar të thërriste Aleksandër Lukashenkan të jepte llogari për shtypjen e tij të pamëshirshme, të vazhdueshme dhe sistematike të zërave të pavarur".
Në mesin e nënshkruesve janë laureatët e çmimit në kimi, mjekësi dhe fiziologji, fizikë, ekonomi, letërsi dhe paqe.
Dy laureatë - astronomi 87-vjeçar Robert Woodrow Wilson dhe mikrobiologu 91-vjeçar Hamilton Smith - e fituan çmimin në vitin 1978.
Midis nënshkruesve janë dy rusë, fituesi i Çmimit të Paqes Dmitry Muratov dhe fizikani Konstantin Novosyolov.
Autorët e letrës kërkojnë lirimin dhe heqjen e akuzave jo vetëm ndaj Byalyatskit, por edhe ndaj anëtarëve të tjerë të organizatës për të drejtat e njeriut Viasna, të themeluar prej tij.























