Vuçiç akuzon Kurtin për veriun, kërkon reagim nga ndërkombëtarët
M.Sh/RTKlive
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për tensionet në komunat e veriu. Në një deklaratë për media ai u bëri thirrje serbëve në veri që të shmangin përplasjen me KFOR-in, ndërsa tha se kryeministri i Kurti po kërkon një konflikt që e sjellë rajonin në prag të kolapsit.
Në fjalimin ne tij Vuçiq tha se pakkush ka dashur të kuptojë thelbin e gjithçkaje që po ndodh në Kosovë.
“Në tre ditët e fundit edhe një person i pafuqishëm dhe analfabet politik ka mundur të kuptojë se çfarë po përgatitej për sot dhe gjithçka në organizatën e Kurtit, me dëshirën për të pasur një konflikt të madh mes serbëve dhe NATO-s dhe ai që është i vetmi fajtor për gjithçka që po ndodh, se ai lan duart si Pilati dhe thotë se nuk ka lidhje me këto ngjarje”, tha Vuçiç, i cili është edhe komandant suprem i forcave serbe.
Vuçiç ka theksuar se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë ka kërkuar të bisedojë me komandantin e KFOR-it dhe nëse nuk realizohet atëherë, sipas tij, do të jetë shumë vonë.
“Unë po u bëj thirrje serbëve në Kosovë, dhe e di se si ndihen dhe sa e vështirë është për ta, të mos hyjnë në konflikt me NATO-n. Jo sepse kam frikë apo sepse dikush nga ne ka frikë, askush nga ne personalisht nuk ka çdo gjë për të humbur, por sepse kjo është ajo që Kurti dëshiron më shumë”, tha ai.
Vuçiq ngriti gatishmërinë luftarake të ushtrisë në nivelin më të lartë. Ai këtë e ka bërë edhe disa herë më parë, derisa kujtojmë se gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998-1999 ka qenë ministër i Infomacionit në ish-Qeverinë e Sllobodan Milloshevqit. E ky i fundit vdiq në Hagë gjatë një procesi gjyqësor, i akuzuar për krime lufte ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Ndryshe, në protestat e të hënën rreth 25 ushtarë të paqeruajtësve të KFOR-it janë plaguar nga dhuna e protestuesve serbë në Zveçan. Protestuesit kanë përdorur shok-bomba, armë, mollotov e eksploziv kundër KFOR-it dhe policisë. Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë akuzuar presidentin serb Vuçiq, si nxitës të bandave kriminale në veri.