Italia zë vendin e tretë në edicionin 2022–23 të Nations League
Uran Krasniqi/RTKLive
Një tjetër pasdite zhgënjyese për Holandën. Në ndeshjen për vendin e tretë të edicionit 2022–23 të Nations League "tulipanët" kanë pësuar humbje nga Italia.
Në një ballafaqim ku janë shënuar plot pesë gola, skuadra e drejtuar nga Roberto Mancini ka fituar 3-2 ndaj Holandës, e cila ishte edhe nikoqir i organizimit prej katër ndeshjeve.
Pjesa e parë në tërësi ka folur italisht. "Azzurri" kanë shënuar dy gola në dyzet e pesëminutëshin e parë përmes Dimarco (6') dhe Frattesi (20').
Pjesa e dytë ka qenë edhe më e dendur për nga golat. Janë realizuar edhe tre të tjerë. Fillimisht Bergwijn (68') e ka ngushtuar rezultatin për Holandën, pastaj Chiesa (72') ka shënuar edhe një herë për Italinë dhe në fund Wijnaldum (89') ka realizuar edhe një herë për Holandën.
Paraprakisht skuadra e drejtuar nga Ronald Koeman në gjysmëfinale ishte mposhtur nga Kroacia.
Sonte zhvillohet edhe finalja mes Spanjës dhe Kroacisë.























