Silvinjo pas fitores ndaj Ishujt Faroe: Jemi në garë për kualifikim
RTSH
Trajneri i kuqezinjve, braziliani Silvinjo ka komentuar pas suksesit 3-1 me Ishujt Faroe, duke theksuar se nuk është aspak e lehtë të realizosh dy fitore radhazi e aq më tepër kur luhet brenda tri ditëve, me një distancë të konsiderueshme nga njëri vend në tjetrin.
“Një pasim i gjatë mund të të prishë shumë punë, të vendos në vështirësi, është shumë e vështirë të luash këtu (i referohet fushës në Ishujt Faroe). Duhet të shohim anën pozitive, kemi fituar 3-1, mbase ka që nga 2021 që nuk realizoheshin dy apo më shumë fitore radhazi. E kam thënë edhe më parë që është një grup i vështirë, shumë i ekuilibruar. Jemi të kënaqur me dy fitoret e arritura, jemi në garë për kualifikim”.
“Cili ishte më i bukur, i Asllanit apo Muçit? Të dy ishin shumë të bukur. Stafi ka punuar, është bërë një punë e mirë, por janë lojtarët ata që bëjnë punën kryesore. Në aspektin teknik, sigurisht që goli i Asllanit ishte më i bukur, por nuk mund të lë pa përmendur lojtarët që janë aktivizuar si zëvendësues dhe kanë dhënë kontributin e tyre”.
“Ndryshimet e bëra në formacion? Kishim disa dyshime, dy ndeshje brenda tri ditëve nuk është e lehtë, pa harruar që Ishujt Faroe është një vend i largët. Asllani bëri një ndeshje të mirë, por edhe Seferi. Mendoj se kemi bërë zgjedhjet e duhura. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm në këtë rrugëtim”.























