Vazhdojnë kërkimet për nëndetësen
BKT
Foto/ From OceanGate/File
Rajoni dhe Bota

Vazhdojnë kërkimet për nëndetësen

Flutura Bekqeli / RTK

Ekuipazhit të zhdukur të nëndetëses mund t`i kenë mbetur vetëm disa orë oksigjen, derisa rojet bregdetare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se ekipet e shumta po përpiqen ta lokalizojnë nëndetësen turistike, e cila u zhduk derisa po e vizitonte Titanikun.

Kërkimi për nëndetësen e zhdukur po zgjerohet me aeroplanë dhe anijet, si dhe automjetet e drejtuara nga distanca, po kërkojnë në një hapësirë prej rreth 16 mijë metra katrore të oqeanit.

Më shumë zhurma janë dëgjuar gjatë kërkimit por mbetet e paqartë se çfarë janë ato ka thënë Roja Bregdetare e SHBA. Kontakti me nëndetësen - e cila ka pesë persona në bord - u humb të dielën teksa po zbriste në rrënojat e Titanikut që gjindet 3 800 metra nën det.

Sipas rojeve bregdetare, koha është tani kritike pasi që brenda nëndetëses ka oksigjen të mbetur për vetëm edhe disa orë dhe, pas këtij afati, gjasat që kushdo të mbijeton janë shumë të vogla.

Gjithashtu është njoftuar se kërkimeve i janë bashkuar edhe anije dhe ekipe të specializuara nga Kanadaja, Britania e madhe dhe disa vende tjera - disa ekipe i kanë thënë mediumeve se gjatë ditës, në sonar, janë dëgjuar tinguj që mund të jenë shenja nga të mbijetuarit por, deri me tani, nuk ka konfirmim se nëndetësja u lokalizua.

Nëndetësja turistike Titan, për arsye ende të panjohura, e humbi kontaktin të dielën, përderisa ishte duke u zhytur drejtë mbetjeve të Titanikut- udhëtim të cilin e kishte bërë me sukses disa herë më parë.

Që nga atëherë nuk dihet se çka ka ndodhur me nëndetëse apo me 5 personat brenda saj.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota