Mercenarët rebelohen kundër Rusisë
BKT
Rajoni dhe Bota

Mercenarët rebelohen kundër Rusisë

Flutura Bekqeli/RTK

Kreu i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, është zotuar të "shkojë deri në fund" për të rrëzuar udhëheqjen ushtarake të Rusisë, disa orë pasi Kremlini e akuzoi atë për "rebelim të armatosur". E presidenti Putin e dënoi atë për "tradhti" pas një sfide dramatike nga shefi i forcës mercenare.

Yevgeny Prigozhin tha se luftëtarët e tij ëagner kishin kaluar kufirin nga Ukraina në Rusi, duke hyrë në qytetin e Rostov-on-Don. Prigozhin tha se njerëzit e tij do të shkatërronin këdo që do të qëndronte në rrugën e tyre.

Guvernatori lokal u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të qëndrojnë brenda.

Prigozhin pretendoi se forcat e tij kishin rrëzuar një helikopter ushtarak rus që "hapi zjarr ndaj një kolone civile". Ai nuk dha një vendndodhje dhe pohimi nuk mund të verifikohej menjëherë.

Grupi ëagner është një ushtri private mercenarësh që ka luftuar përkrah ushtrisë së rregullt ruse në Ukrainë. Tensioni është rritur mes tyre për mënyrën se si është zhvilluar lufta, me Prigozhin që ka lëshuar kritika të zëshme ndaj udhëheqjes ushtarake të Rusisë muajt e fundit.

Të premten, lideri mercenar 62-vjeçar akuzoi ushtrinë për lëshimin e një sulmi vdekjeprurës me raketa ndaj trupave të tij dhe u zotua se do t'i ndëshkonte ata.

Prigozhin tha se "e keqja" në udhëheqjen ushtarake të Rusisë duhet të ndalet dhe u zotua të "marshojë për drejtësi".

E Presidenti Putin e dënoi atë për "tradhti" pas një sfide dramatike nga shefi i forcës mercenare Wagner. Pa përmendur emrin Prigozhin, Putin u zotua të ndëshkojë ata që qëndrojnë pas kryengritjes së armatosur. Ai pranoi se situata në qytetin jugor të Rostov-on-Don, e marrë nga Wagner, mbetej e vështirë.

Të premten mbrëma, siguria në Rusi u forcua, interneti u kufizua dhe kamionë ushtarakë u panë në rrugët e Moskës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota