Messi ‘thumbon’ PSG-n
RTSH
Sot Lionel Messi mbush 36-vjeç dhe kjo ditë e gjen atë në një skuadër të re, të tretën e karrierës së tij si profesionist.
Nga SHBA ku ndodhet bashkë me familjen e tij, argjentinasi flet për periudhën e fundit me PSG ku në dy sezone shënoi 32 gola dhe fitoi 2 tituj kampion por nuk ka qenë aspak një periudhë e lumtur për të pas lamtumirës së dhimbshme në vitin 2021 nga Barcelona.
“Shkova në Paris sepse e pëlqeja atë klub dhe sepse kisha shumë shokë me të cilët mund të bashkëpunoja në dhomat e zhveshjes. Mendoja se do ta kisha më të thjeshtë për t’u përshtatur dhe ky ishte një nga shkaqet që unë vendosa të bashkohesha me PSG. Gjithsesi nuk ndodhi kështu sepse në vitin e parë shkova me vonesë dhe ishte shumë e vështirë për familjen time dhe mua që të përshtatesha me jetën në Francë. Njerëzit nisën të më trajtonin mirë dhe një pjesë e madhe e tyre e bënë një gjë të tillë deri ditën e fundit, por nuk ndodhi kështu me të gjithë sepse me një pjesë të tyre pata probleme. Nuk ishte dëshira ime që të gjeneroja një situatë të tillë por një gjë e tillë ndodhi edhe me Neymar madje edhe me Mbappe disa kohë më parë”.
Gjithsesi, tashmë “pleshti” shikon përpar drejt aventurës së re në SHBA ku do të luajë me Inter Miami në divizionin Lindor të MSL.
Ai numëron më shumë se 700 ndeshje me Barcelonën në 13 vite dhe pas dy sezoneve të vështira në Paris, fundi i karrierës në SHBA ishte ndoshta vendimi i duhur për rekordmenin e Topave të Artë.























