Rusia në mediat botërore, një ditë pas rebelimit të Wagner-it
Përgatiti: M.Miftari/RTKlive
Një ditë pas rebelimit të formacionit mercenar Wagner, në Rusi, mediat botërore kanë raportuar me interesim të madh për situatën atje, në veçanti në Rostov on Don, Voronezh e Moskë.
Kështu, Reuters ka raportuar për situatën në Rostov, ku bën të ditur për heqjen e kufizimeve në trafikun rrugor.
"Stacionet e autobusëve dhe trenave funksionojnë normalisht. Biletat janë në shitje dhe të gjithë trenat janë në kohë," tha zëvendësministri i politikës rajonale dhe komunikimit masiv i rajonit të Rostovit, Serhi Tjurin, njofton Reuters.
Ndërkaq AFP ka raportuar për gjendjen në Voronezh, nëpërmjet të këtij qyteti kanë kaluar trupat mercenare të Wagnerit.
Kështu, guvernatori i Voronezhit ka njoftuar se lëvizja e trupave po zhvillohet normalisht dhe pa probleme. Gusev thotë gjithashtu se kufizimet e lëvizjes në zonë do të hiqen kur "gjendja të zgjidhet përfundimisht", raporton agjencia e lajmeve AFP.
Ndërkaq, pas tërheqjes së formacionit ushtarak mercenar Wagner edhe formacioni çeçen bën të ditur se është tërhequr nga rajoni i Rostovit, duke u kthyer përsëri në zonën ku ata kanë luftuar më parë.
Udhëheqësi çeçen, Kadyrov, kishte deklaruar të shtunën se ai ishte i gatshëm të ndihmojë Rusinë edhe me "mjete të rënda".

























