Yellen paralajmëron progres në raportet SHBA-Kinë
D. Ramabaja /RTK
Sekretarja amerikane e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen paralajmëron `progres` në marrëdhëniet e vështira SHBA-Kinë pas përfundimit të udhëtimit të saj katër-ditor në Pekin.
Sekretarja amerikane Janet Yellen ka thënë se 10 orë takime dypalëshe "të drejtpërdrejta" me zyrtarët më të lartë kinezë në ditët e fundit ishin dhe "produktive", duke ndihmuar në stabilizimin e marrëdhënieve shpesh të vështira.
Para se të largohej nga Kina të dielën, Yellen tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina mbetën në mosmarrëveshje për një shumë çështje, por shprehu besimin se vizita e saj kishte avancuar përpjekjet për të vendosur marrëdhëniet në "baza më të sigurta".
"SHBA dhe Kina kanë mosmarrëveshje të rëndësishme," ka thënë Yellen në një konferencë për media në ambasadën amerikane në Pekin, duke përmendur shqetësimet e Uashingtonit për ato që ajo i quajti "praktika të padrejta ekonomike" dhe veprimet e fundit ndëshkuese kundër firmave amerikane.
Por sipas saj Presidenti Biden dhe ajo nuk e shohin marrëdhënien SHBA-Kinë përmes kornizës së konfliktit të fuqive të mëdha, ndërsa besojnë se bota është mjaft e madhe ku dy vendet mund të lulëzojnë.
Uashingtoni është përpjekur të riparojë marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha në botë, pasi ato kanë rënë në nivelin më të ulët rreth çështjeve të sigurisë kombëtare, duke përfshirë Tajvanin, ndalimin e eksporteve të SHBA-së për teknologjitë e avancuara dhe politikat industriale të Kinës të udhëhequra nga shteti.
Në këtë kuadër Sekretari i Shtetit Antony Blinken vizitoi Pekinin muajin e kaluar, që ishte udhëtimi i parë i diplomatit të lartë amerikan të presidencës Biden. Ndërkohë edhe i dërguari për çështje klimatike John Kerry pritet ta vizitojë Kinën këtë muaj.
Shtytja diplomatike e SHBA vjen përpara një takimi të mundshëm mes Biden dhe Presidentit Xi Jinping në samitin G20 të shtatorit në Nju Delhi ose një mbledhjeje të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor të planifikuar për në nëntor në San Francisko.























