Stoltenberg: Turqia i thotë po anëtarësimit të Suedisë në NATO
BKT
Rajoni dhe Bota

Stoltenberg: Turqia i thotë po anëtarësimit të Suedisë në NATO

Përgatiti: M.Miftari/RTKlive

 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg konfirmoi se Turqia ka pranuar që Suedia të anëtarësohet në NATO.

“Sapo pata një takim konstruktiv me presidentin Erdogan dhe kryeministrin Kristersson. Jam i lumtur të njoftoj se si rezultat i kësaj, presidenti Erdogan ka rënë dakord të përcjellë Protokollin e Aderimit për Suedinë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Stoltenberg për mediat skandinave, transmeton RTKlive.

Ai beson se Suedia tani i ka përmbushur kërkesat e vendosura në lidhje me samitin e NATO-s në Madrid vitin e kaluar.

“Që nga takimi në Madrid, Suedia dhe Turqia kanë punuar më ngushtë së bashku për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Turqisë. Si pjesë e këtij procesi, Suedia ka ndryshuar kushtetutën dhe ligjet e saj, ka zgjeruar ndjeshëm masat e saj anti-terroriste kundër PKK-së dhe ka vazhduar eksportet e armëve në Turqi”, deklaroi Jens Stoltenberg.

Ai sqaroi se puna do të vazhdojë edhe pas ratifikimit.

“Përfundimi i pranimit të Suedisë në NATO është një hap historik që përfiton sigurinë e të gjithë aleatëve të NATO-s në këtë kohë kritike. Na bën të gjithëve më të fortë dhe më të sigurt”, shtoi më tej Stoltenberg.

Ai më tej theksoi se Suedia ka rënë dakord të mbështesë në mënyrë aktive ringjalljen e procesit të pranimit të Turqisë në BE.

“Suedia mund ta bëjë këtë si anëtare e BE-së, nuk është roli i NATO-s të jetë pjesë e atij procesi”, vuri në dukje Stoltenberg.

Ndryshe, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paraqitur pengesa lidhur me anëtarësimin e Suedisë në NATO. Ndër kërkesat më kryesoret ishin denoncimi i grupeve, siç i vlerësonte ai, terroriste, të cilët ndodheshin në Suedi, si dhe ajo e shprehur së fundmi, hapjen e negociatave për anëtarësim të Turqisë në BE.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota