SHBA afër vendimit për raketat me rreze të gjatë
Ardiana Gashi / RTK
Kundërofensiva e Ukrainës është "e ngadaltë", por aleatët perëndimorë mbeten të gatshëm, thonë zyrtarë nga Kievi. Roja Kufitare e Ukrainës së fundmi deklaroi se luftëtarët e grupit mercenar rus Wagner kanë mbërritur në Bjellorusi nga Rusia.
Zyrtarë ukrainas thonë se po ecën ngadalë përpara në linjat e frontit jugor dhe lindor, ndërsa forcat ruse hedhin "gjithçka që munden" për të ndalur kundërsulmin. Kievi këmbëngul që aleatët perëndimorë të mbeten të durueshëm dhe të gatshëm për të ofruar ndihmë.
SHBA është afër një vendimi për dërgimin e Ukrainës ATACM, një lloj rakete të drejtuar me rreze të gjatë që Kievi e ka kërkuar prej kohësh, tha një ndihmës i lartë i presidentit të Ukrainës.
Në anën tjetër marrëveshja e grurit të Detit të Zi që siguron kalim të sigurt për eksportet ukrainase skadon të hënën dhe OKB-ja ende po përpiqet të adresojë kundërshtimet e Rusisë pasi ajo kërcënoi se do të largohet nga pakti.
Ndryshe e ardhmja e grupit ushtarak privat Wagner mbetet e errët pas rebelimit të tij jetëshkurtër muajin e kaluar. Kjo javë solli spekulime për statusin ligjor të organizatës në Rusi, një komandant të ri të mundshëm dhe praninë e mercenarëve në Bjellorusi.























