IRAK – Demonstruesit i vënë flakën ambasadës suedeze
BKT
Rajoni dhe Bota

IRAK – Demonstruesit i vënë flakën ambasadës suedeze

atsh

Demonstruesit kanë sulmuar ambasadën e Suedisë në Irak dhe i kanë vënë flakën asaj, pas njoftimit për një tjetër djegie të planifikuar të Kuranit në kryeqytetin suedez, Stokholm.

Sipas dëshmitarëve okularë, qindra njerëz marshuan drejt ambasadës, shumë prej tyre duke u ngjitur mbi barriera dhe duke bërtitur parulla si “Po, po për Kuranin”.

Fotot dhe videot e postuara në mediat sociale treguan turmat e protestuesve në ndërtesën në Bagdad, së bashku me zjarr dhe re tymi.

Disa protestues raportohet se kanë hyrë brenda ndërtesës, ndërsa të tjerë kanë festuar në rrugë dhe kanë valëvitur flamujt irakianë.

Në mesin e protestuesve ishin mbështetës të klerikut me ndikim shiit Muktada al-Sadr.

Ministria e Jashtme suedeze tha se ishte në kontakt të vazhdueshëm me stafin në terren.

“Ne jemi të informuar për situatën. Stafi ynë i Ambasadës është i sigurt dhe Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të rregullt me ta”, thuhet në njoftim.

Ai shtoi se autoritetet irakiane kanë përgjegjësinë për të mbrojtur misionet diplomatike dhe stafin diplomatik.

Videot e demonstratës treguan forcat e sigurisë duke bërë pak për të shuar trazirat e natës.

Policia suedeze kishte miratuar më parë një kërkesë për një tubim publik që do të zhvillohej para ambasadës irakiane në Stokholmn. Sipas agjencisë suedeze të lajmeve TT, një person ka dashur të djegë një Kuran dhe një flamur irakian.

Sipas raportit, vetëm dy persona do të merrnin pjesë në demonstratë – njësoj si në djegien e Kuranit në fund të qershorit, që shkaktoi protesta në mesin e muslimanëve si jashtë ashtu edhe brenda Suedisë, duke përfshirë në Bagdad.

Demonstruesit thanë, sipas dëshmitarëve okularë në Bagdad, se protesta e së mërkurës mbrëma ishte një reagim ndaj djegies së re të planifikuar të Kuranit në Suedi.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota