Grubi: Djegia e makinës, akt qyqar dhe tinëzar
Sh.Ç /RTKlive
Zëvendëskryeministri Artan Grubi e ka quajtur tinëzar dhe qyqar aktin e djegies së veturës të cilën ai e ka përdorur privatisht. Në një reagim në Facebook, Grubi ka thënë se sulmet e këtilla nuk do e zmbrapsin për të bërë punën e tij.
“Në politikë jam për të shërbyer dhe për të lënë gjurmë me punë e me vepra, e jo që të më terrorizohet familja, fqinjët dhe shoqëria. Kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet e njëpasnjëshme i konsideroj si qyqare dhe tinëzar, por unë nuk e kam ndërmend të ndalem dhe të zmbrapsem nga puna dhe realizimi i pritshmërive të qytetarëve”, ka shkruar Grubi.
Mediet në Maqedoninë e veriut kanë raportuar se vetura të cilën Grubi e ka përdorur privatisht është djegur në Çair në afërsi të ndërtesës ku banon.
Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se është njoftuar për djegien e një veture e cila nuk ka qenë në pronësi të zv/kryeministrit, por të një personi tjetër me inicialet B.L 35 vjeç.
“Në SPB Shkup është njoftuar se rreth orës 03.30 në rr. “Strumiçka” është shkaktuar zjarr në një automobil “Audi” me targa të Shkupit, pronë dhe e parkuar nga B.L. (35) nga Shkupi. Zjarri është shuar, persona të lënduar nuk ka, ndërsa ekspertizë është bërë nga ekipet e SPB-së në Shkup”, ka njoftuar MPB-ja.
Zëdhënësi i BDI-së, njëherit dhe ministër i Punëve të jashtme, Bujar Osmani përmes një reagimi në Facebook thotë se vetura është e Artan Grubit ndërsa djegien e saj e quajti si akt të urryer dhune. Për djegien e veturës kanë reaguar edhe funksionarët të tjerë të BDI-së, ndërsa deputeti Arbër Ademi e ka cilësuar si tentativë për sulm ndaj Artan Grubit.























