Sondazhet: Partia Popullore do të fitojë në zgjedhjet që do të mbahen nesër
Përgatiti: Ardiana Gashi /RTK
Spanja do të votojë në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të dielën. Pavarësisht sondazheve negative, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shpreson të fitojë duke rimobilizuar të majtën për të parandaluar një koalicion të mundshëm midis Partisë Popullore konservatore dhe partisë së ekstremit të djathtë thonë analistët.
Të dielën, më 23 korrik, mes një vale të madhe të nxehti, spanjollët do të shkojnë në qendrat e votimit për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme që duket se do të jenë një lojë e fatit për kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez thonë mediet.
Udhëheqësi socialist, në pushtet që nga viti 2018, i shpalli zgjedhjet pasi e majta pësoi një sërë pengesash në zgjedhjet e dyfishta bashkiake dhe rajonale të 28 majit.
Një ditë pas këtij debakli elektoral, Sanchez njoftoi shpërndarjen e parlamentit dhe bëri thirrje për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, të cilat fillimisht do të mbaheshin në fund të këtij viti.
Sipas të gjitha sondazheve, Partia Popullore do të fitojë zgjedhjet dhe Partia Socialiste e Punëtorëve do të vijë në vend të dytë.
Për t'u betuar si kreu i qeverisë nevojitet një shumicë në Kongresin e Deputetëve prej 176 deputetësh. Sondazhet aktualisht tregojnë se Partia Popullore do të sigurojë rreth 150 vende, që nuk është një shumicë absolute. Gjithçka do të varet se cila parti politike do të dalë e treta në zgjedhje.























