Frikë nga përhapja e flakëve në Rodos, mijëra të evakuuar
Përgatiti: Dardan Ramabaja/ RTK
Zjarret që janë përhapur në ishullin grek të Rodosit kanë detyruar autoritetet të evakuojnë mijëra njerëz, ndërkohë që situata ka lënë edhe mijëra turistë në pritje pasi pothuajse të gjitha fluturimet për në ishull janë anuluar.
Brigada greke e zjarrit thotë se situata në ishull është një nga më të vështirat me të cilat ësht përballur dhe paralajmëroi se ajo mund të përkeqësohet.
Dy kompani turistike Jet2 dhe TUSI anuluan fluturimet për në Rodos, së paku deri të mërkurën.
Të paktën 2,000 njerëz u evakuuan nga deti të shtunën gjatë ditës nga dy plazhe në Rodos, Kiotari dhe Lardo, ndërsa në mbrëmje vonë u dhanë urdhra evakuimi për fshatrat Pefki, Kalathos dhe qytetin e njohur turistik të Lindos, ku rreth 1000 njerëz u zhvendosën me autobusë.
Operacionet për shuarjen e zjarrit janë duke u zhvilluar me aeroplanë zjarrfikës, helikopterë dhe forca tokësore, me fokus në tre fronte aktive, kryesisht në pjesën lindore të ishullit si dhe në fshatrat Kiotari dhe Lardos në juglindje ku zjarri ka djegur shtëpi.
Raportet sugjerojnë se mbi 19,000 njerëz janë evakuuar në total nga toka dhe deti, ndërsa nuk raportohet për të lënduar.
Rodosi është duke luftuar me zjarret e ndezura nga erërat e forta që nga e marta, ndërsa Evropa po përballet me një valë sfiduese të të nxehtit.
Pasditen e sotme priten erëra të forta, të cilat mund të pengojnë betejën e zjarrfikësve për të vënë nën kontroll flakët.























