Pasojat e zjarreve dhe stuhive në Evropë
Bardhyl Bajrami /RTK
Një aeroplan i cili po ndihmonte shuarjen e zjarreve në Greqi është rrëzuar në ishullin Evia, duke bërë që ta humbin jetën piloti edhe bashkëpiloti. E Italia po përballet me të dy ekstremet. Jugu i vendit po përballet me zjarre, ndërsa veriu me stuhi. Ka edhe viktima.
Një aeroplan zjarrfikës që po ndihmonte në shuarjen e zjarreve në Greqi është rrëzuar duke shkaktuar vdekjen e dy pilotëve. Ngjarja ka ndodhur në ishullin Evia.
Rrëzimin e aeroplanit dhe vdekjen e pilotëve e ka konfirmuar ministria greke e mbrojtjes e cila ka thënë se jetën e ka humbur piloti 34 vjeçar, Christos Moulas dhe bashkëpiloti, 27 vjeçari Pericles Stefanidis. Kjo ministri, për nder të tyre ka shpallur tre ditë zie në ushtrinë greke.
Ndërkohë Kreta, ishulli më I madh grek, është vënë në shkallën më të lartë të alarmit për shkak të rrezikut të madh për ndonjë zjarr.
EItalia po përballet me dy mote të ndryshme në rajone të ndryshme. Jugu I vendit po përballet me zjarre të egra ku zjarrfikësit po luftojnë me disa zjarre në Sicili. Të paktën 1500 persona janë evakuuar nga zona e gjerë e Palermos. Sipas raporteve, dy vende në Sicili, të hënën kanë regjistruar temperatura, ku në Priolo është regjistruar temperature prej 47.6 gradë Celsius.
Ndërsa veriu i Italisë, rajoni I Lombardisë, tre ditët e fundit është prekur nga moti I ligë. Mbrëmë janë regjistruar edhe dy viktima, një grua 58 vjeçare në Monda dhe një 16 vjeçare në Brescia. Shpejtësia e erës ka mbërritur në 100km/h e ku ka rënë edhe breshër. Pengesa e vonesa janë shkaktuar edhe në qarkullimin e trenave.
Të martën, Ministri Italian i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci, ka thënë se vendi po e përjeton ditët më të rënda ndër dekada.
Ndërkohë që edhe Sllovenia është përfshirë nga një tjetër mot I lig që ka sjellë erëra të fuqishme, shi dhe breshër. Ky mot në disa pjesë ka shkaktuar edhe përmbytje.























