Zyrtarë rusë dhe kinezë vizitojnë Korenë Veriore
Flutura Bekqeli / RTK
Një delegacion rus i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka mbërritur në Korenë e Veriut, ku të mërkurën vonë do t`i bashkohet një delegacion kinez.
Vizita e Shoigu-t vjen në sfondin e rritjes së tensioneve gjeopolitike midis SHBA-së dhe Rusisë për luftën në Ukrainë.
Delegacioni do të marrë pjesë në festimet e Phenianit të 70-vjetorit të përfundimit të luftës koreane, të shënuar zakonisht nga parada masive ushtarake. Vizitat janë të parat në Korenë e Veriut qëkur vendi mbylli kufijtë e tij në një përpjekje për tu mbrojtur nga pandemia.
Delegacioni rus, i kryesuar nga Shoigu, mbërriti në Korenë e Veriut të martën vonë dhe u prit në aeroportin e Phenianit. Delegacioni kinez do të udhëhiqet nga Li Hongzhong, i cili është pjesë e komitetit qendror të politikëbërjes së Partisë Komuniste Kineze.
Vizita e Shoigu vjen gjithashtu në kohën e rritjes së tensioneve gjeopolitike midis SHBA-së dhe Rusisë për luftën në Ukrainë. Lidhjet midis Pekinit dhe Uashingtonit janë gjithashtu të ndera për shkak të Tajvanit.
Është e paqartë nëse kjo sinjalizon një ndryshim në politikat kufitare të Phenianit. Koreja e Veriut e izoluar e kishte mbyllur veten nga të gjitha marrëdhëniet tregtare dhe diplomatike në fillim të vitit 2020, madje edhe me Rusinë dhe Kinën, të cilat janë partnerët e saj kryesorë ekonomikë dhe politikë.
Ata madje ndërprenë importin e mallrave thelbësore si ushqime dhe ilaçe. Koreja e Veriut është përballur me mungesa ushqimore, të cilat janë përkeqësuar nga mbyllja e kufijve të saj dhe sanksionet e rrepta ndërkombëtare që janë vendosur për shkak të programit të saj bërthamor.
Uashingtoni, në fakt, ka akuzuar Korenë e Veriut për ofrimin e ndihmës ushtarake për Rusinë në luftën në Ukrainë, një pretendim të cilin Pheniani dhe Moska e mohojnë.























