Gjendet trupi i alpinistit pas 37 vjetësh
Përgatiti: Bardhyl Bajrami
Janë gjetur mbetjet e një alpinisti gjerman i cili ishte zhdukur në Zvicër 37 vjet më parë. Një akullnajë që po vazhdon të shkrihet ka bërë të gjenden mbetjet e tij.
Janë gjetur mbetje mortore pas shkrirjes së ngadalshme të një akullnaje në Matterhorn në Zvicër e që janë konfirmuar të jenë të alpinistit gjerman i cili konsiderohej i zhdukur që nga viti 1986.
Zbulimi i trupit të pajetë është bërë më herët gjatë këtij muaji nga alpinistët që po kalonin akullnajën Theodul përmbi rajonin Zermatt që është i njohur për sporte dimërore gjatë tërë vitit. Alpinistët kishin vërejtur një çizme alpine dhe mjete tjera profesionale që ishin zbuluar pas shkrirjes së akullit.
Analizat e ADN-së kanë treguar se bëhet fjalë për alpinistin gjerman por që identitetin e tij autoritetet zvicerane nuk e kanë bërë të ditur. Megjithatë, ata kanë thënë se viktima ishte 38 vjeçar kur ka humbur jetën.
Pas zhdukjes së alpinistit gjerman, ishte zhvilluar një operacion i madh kërkim-shpëtimi por pa ndonjë sukses në gjetjen e ndonjë gjurme të tij.
Pothuajse çdo verë, shkrirja e akullnajave zbulon diçka apo dikë që ka humbur për dekada. Vitin e kaluar ishte zbuluar rrënojat e një aeroplani që ishte rrëzuar në vitin 1968 ndërsa në vitin 2014 ishin gjetur mbetjet e alpinistit britanik Jonathan Conville që konsiderohej i zhdukur që nga viti 1979.
Këtë vit, në Zvicër qershori ishte muaji më i nxehtë dhe më I thatë I regjistruar ndonjëherë ndërsa tre javët e para të korrikut ishin më të nxehtat të regjistruara ndonjëherë në botë.
Në gusht dhe shtator, ekspertët e akullnajave do t’i bëjnë sërish matjet por kanë shprehur brengën për rezultatet.























