Shpërthim në Pakistan, të paktën 35 të vdekur
Bardhyl Bajrami | RTK
Të paktën 35 persona kanë vdekur e më shumë se 200 janë lënduar si pasojë e një shpërthimi gjatë një tubimi zgjedhor të një partie islamike në Pakistan.
Shpërthimi ka ndodhur në qarkun veri-perëndimor Bajaur, që ndodhet në afërsi të kufirit me Afganistanin, ku partia Jamiat Ulema-e-Islam po mbante tubim. Autoritetet kanë thënë se numri i të vdekurve dhe të lënduarve mund të rritet ndërkohë. Mësohet se jetën e ka humbur edhe lideri regjional i partisë Maulana Ziaullah, raporton BBC.
Një operacion shpëtimi në ndihmë të të plagosurve po vazhdon, ndërsa policia ende nuk ka bërë të ditur shkaqet e shpërthimit. Të lënduarit janë dërguar në spitalin e qytetit Bajaur, i cili nuk ka kapacitete për trajtimin e një numri kaq të madh të të lënduarve.
Përgjegjësinë për këtë shpërthim nuk e ka marrë ende askush, por një degë e asaj që njihet si Shteti Islamik më herët kishte pasur në shënjestër liderët e kësaj partie, duke i quajtur si femohues.























