Tre persona kanë vdekur si pasojë e përmbytjeve në Slloveni
Bardhyl Bajrami /RTK
Të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dheut që kanë goditur Slloveninë.
Sipas autoriteteve sllovene, një numër i madh i vendbanimeve janë të përmbytura, ekipet emergjente dhe ushtria sllovene me ndihmën e helikopterëve po i evakuon banorët, rrugët janë të përmbytura e janë shkatërruar edhe ura.
Autoritetet kanë kërkuar evakuimin e mijëra njerëzve në qytetin Celje përfshirë edhe zonën e qytetit të vjetër.
Ministri slloven i mbrojtjes Marjan Sharec, në rrjetin social X, ish-Twitter ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë aty ku janë e të mos dalin nëpër rrugë pa ndonjë emergjencë të madhe.
Sreçko Shestan, Komandanti i Mbrojtjes Civile në Slloveni ka thënë se edhe qasja në vendet e prekura është rënduar dhe e bllokuar sikurse që ka problem edhe me lidhjet telefonike që e vështirëson edhe më shumë komunikimin.
Gjendje e rënduar paraqitet edhe në Kroaci ku njoftohet se është duke u rritur niveli i lumit Sava si pasojë e të reshurave të mëdha në Slloveni. Shi i rrëmbyeshëm pritet që sonte të nisë të bie në Zagreb, ku është paralajmëruar se mesatarisht do të bien 20 deri 70 litra për m2 për një kohë të shkurtë.























