Von der Leyen vizitoi Slloveninë
BKT
Rajoni dhe Bota

Von der Leyen vizitoi Slloveninë

Ardiana Gashi / RTK

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen vizitoi Slloveninë të mërkurën për të treguar solidaritet dhe për të diskutuar se si BE mund të ndihmojë shtetin e saj anëtar, i cili u shkatërrua nga përmbytjet e fundit ku humbën jetën të paktën gjashtë njerëz dhe u shkaktuan dëme të mëdha.

Von der Leyen u takua me kryeministrin slloven Robert Golob dhe vizitoi një rajon të goditur nga përmbytjet në vend.

Zyrtarët sllovenë i kanë përshkruar përmbytjet e javës së kaluar si fatkeqësinë më të keqe natyrore në historinë 32-vjeçare të vendit. Dy të tretat e territorit të shtetit alpin u prekën dhe dëmi mund të arrijë në miliarda euro thanë zyrtarët.

Golob ka thënë se dëmi më i madh ishte në infrastrukturën rrugore dhe energjetike dhe se Sllovenia do të ketë nevojë për mbështetjen e BE-së për të rindërtuar. Një numër vendesh kanë dërguar tashmë njerëz dhe pajisje për të ndihmuar.

Në Vatikan, Papa Françesku u lut për viktimat e përmbytjeve në Slloveni dhe Gjeorgji dhe falënderoi ata që ofrojnë ndihmë.

Ekspertët në Slloveni kanë paralajmëruar se megjithëse shiu ka pushuar, rreziku i mëtejshëm vjen nga rrëshqitjet e dheut në zonat e lagura.

Përmbytje të shpejta u raportuan gjithashtu në Austrinë dhe Kroacinë fqinje dhe shirat e dendur dhe stuhitë shkaktuan dëme të mëdha më në lindje në Serbi, e cila është në rrjedhën e poshtme të lumit të fryrë Sava që rrjedh nga Sllovenia dhe Kroacia mbi Ballkan.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota