Rusia shton sulmet në Ukrainë, evakuohen 37 vendbanime
Flutura Bekqeli/RTK
Autoritetet në rrethin Kupiansk të rajonit të Kharkiv thanë se duhej të vepronin për shkak të "granatimeve të vazhdueshme ruse" në zonë. Rusia thotë se trupat e saj kanë fituar pak terren në zonë. Ukraina thotë se sulmet ruse janë zmbrapsur.
Komentet e dy palëve ndërluftuese nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Në një deklaratë, autoritetet e qarkut Kupiansk thanë se banorët e dy qyteteve dhe 35 fshatrave ishin duke u evakuuar. Ata thanë se civilët po evakuoheshin në "rajone të sigurta" të Ukrainës.
Një banore në Kivsharivka, një nga fshatrat që po evakuohet, tha se ajo po përgatitej të largohej me fëmijët e saj, ndërsa burri i saj donte të qëndronte për t'u kujdesur për nënën e tij të moshuar.
Në konferencën e saj të fundit, ministria ruse e mbrojtjes tha se njësitë e saj sulmuese në drejtimin Kupiansk kishin "përmirësuar pozicionin e tyre përgjatë vijës së frontit gjatë operacioneve sulmuese".
Ushtria e Ukrainës tha se forcat e saj "zmbrapsën me sukses" sulmet ruse.
Urdhri i evakuimit nuk është i pari për banorët e Kupiansk. Në mars, fëmijët dhe njerëzit "me lëvizshmëri të kufizuar" u urdhëruan të evakuoheshin nga qyteti Kupiansk për shkak të rritjes së granatimeve ruse.
Kupiansk, një qendër e rëndësishme rajonale e transportit dhe logjistikës, ka dëshmuar luftime të ashpra që kur Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Trupat ruse pushtuan qytetin brenda pak ditësh, por forcat ukrainase morën përsëri kontrollin gjatë një kundërsulmi të shpejtë shtatorin e kaluar.
Këto përparime, dhe çlirimi i qytetit jugor të Ukrainës, Kherson, ishin ndryshimet më të rëndësishme të vijës së parë që kur Rusia u tërhoq nga zonat përreth kryeqytetit Kiev në prill.























