Moldavia dëbon një numër të konsiderueshëm diplomatësh rusë
Përgatiti: Dardan Ramabaja
Disa diplomatë nga ambasada ruse në Republikën e Moldavisë u larguan nga vendi me një aeroplan çarter të hënën në mëngjes, pasi u dëbuan për shkak të "veprimeve të tyre jo miqësore".
Fluturimi ishte planifikuar për në orën 09:00 me orën lokale dhe në bord kishte rreth 100 persona, mes tyre diplomatë dhe staf teknik nga ambasada ruse, si dhe familjarët e tyre.
Ata u dërguan në aeroport me dy autobusë, ndërsa disa të tjerë duket se janë larguar me makina personale apo çarter të tjerë. Para ambasadës u zhvillua një demonstratë në mbështetje të tyre.
Moldavia njoftoi në fund të korrikut se po dëbonte 45 diplomatë rusë dhe staf tjetër të ambasadës pasi raportet sugjeruan se pajisje të reja mbikëqyrjeje ishin instaluar në çatinë e ambasadës ruse dhe një ndërtesë fqinje të përdorur nga Rusia.
Ministria e Jashtme e Moldavisë tha se vendimi u mor pas "tensioneve të vazhdueshme dhe veprimeve jomiqësore" dhe se stafi i ambasadës dhe diplomatët do të duhej të largoheshin deri më 15 gusht.
Vendimi ka zemëruar Moskën ku Ministria e Punëve të Jashtme tha se kjo nuk do të mbetet pa përgjigje.























