Mbyllet tuneli më i gjatë në botë, treni doli nga binaret
Flutura Bekqeli/RTK
Tuneli hekurudhor 57 kilometrash, më i gjatë në botë që ndodhet në Zvicër është mbyllur për shërbimet e pasagjerëve pasi një dalje nga shinat e vagonëve shkaktoi dëme që do të duhen muaj për t`u riparuar.
Autoritetet zvicerane thanë se nuk kishte "asnjë indikacion" se kur do të rihapet tuneli i bazës Gotthard. Gjashtëmbëdhjetë vagonë dolën nga shinat dhe ende kanë ngecur brenda, një javë pas incidentit të 10 gushtit. E hapur në vitin 2016, lidhja hekurudhore Gotthard mori 20 vjet për t'u ndërtuar dhe kushtoi më shumë se 12 miliardë dollarë.
Shefi ekzekutiv i operatorit hekurudhor kombëtar zviceran tha se Gotthard ishte një nga tunelet më të sigurt në botë.
“Fakti që një aksident si ky mund të ndodhë na ka goditur shumë rëndë”, tha ai. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, por dëme të konsiderueshme materiale.
Një hetim është duke u udhëhequr nga Bordi Zviceran për Hetimin e Sigurisë së Transportit dhe zyra e prokurorit publik të Kantonit të Ticino.
Operatori hekurudhor shtoi se njëra anë e tunelit ishte e paprekur dhe duhet të funksionojë "në parim" për përdorimin e mallrave nga 23 gushti, por trenat e pasagjerëve nuk do të mund të përdorin anën e paprekur për arsye sigurie.
Rruga kalon nëpër Alpet dhe siguron një lidhje me shpejtësi të lartë midis Evropës veriore dhe jugore.
Përveç transportit të pasagjerëve, Gotthard është një kalim kyç për ngarkesat - veçanërisht midis Gjermanisë dhe Italisë.
Më shumë se dy të tretat e trafikut hekurudhor të mallrave në Alpe kaluan nëpër tunel vitin e kaluar.
Koha e udhëtimit tani do të zgjasë të paktën 60 minuta më shumë dhe pasagjerët që udhëtojnë ndërkombëtarisht do të duhet të ndryshojnë trenat në Chiasso.























