Stuhia Hilary po lëviz drejt Kalifornisë Jugore
BKT
Rajoni dhe Bota

Stuhia Hilary po lëviz drejt Kalifornisë Jugore

Përgatiti: Dardan Ramabaja/ RTK

Stuhia e parë tropikale në 84 vjet - e quajtur tashmë një "ngjarje e paprecedentë e motit" po lëviz në Kaliforninë Jugore, ku miliona njerëz gjenden nën kërcënimet e përmbytjeve.

Stuhia tropikale Hilary shkaktoi përmbytje të furishme në lindje dhe në perëndim të Los Anxhelosit të dielën, ndërsa bëri zbarkimin e saj historik në Kaliforni duke kaluar përmes gadishullit Baja California të Meksikës me forcë vdekjeprurëse.

Një person vdiq në Meksikë pas përmbytjeve të shpejta në gadishull, ku përrenj të furishëm shpërthyen në rrugët e qytetit që u kthyen në lumenj.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për pjesën më të madhe të Kalifornisë Jugore, me paralajmërime për përmbytje të fuqishme deri të paktën në orën 3 të mëngjesit të hënën në një rajon që është i mësuar me thatësirën.

Zonat malore dhe ato të shkretëtirës mund të marrin nga 12 deri në 25 cm shi, aq sa shkretëtira zakonisht merr në një vit, thanë parashikuesit.

Stuhia e parë tropikale që goditi rrethinën e Los Anxhelosit që nga viti 1939, shkaktoi përmbytje serioze në malet San Gabriel në lindje të qytetit dhe në zonat bregdetare në veriperëndim të kontesë Ventura.

Kurse Kontea San Bernardino urdhëroi evakuimin e një numri qytetesh në male dhe lugina ku lugina është pushtuar nga përrenj uji me baltë, shkëmbinj dhe drunj.

Në Wrightwood, të Kalifornisë, rreth 112 km në verilindje të Los Anxhelosit, shiu zhvendosi pemët dhe baltën poshtë një kodre në Kanjonin e delës. Një situatë të njëjtë përjetoi më tej në lindje edhe Oak Glen që është një nga pesë qytetet e kontesë së San Bernardinos.

Në perëndim të kontesë më të populluar Ventura, Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për përmbytje kërcënuese për jetën ku ranë deri rreth 5 cm shi brenda dy orëve.

Ekspertët thonë se ngjarjet e fundit jonormale të motit që kanë pllakosur SHBA-në dhe vendet e tjera janë ndikuar nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota