Escober: Ballkani Perëndimor është pjesa më premtuese e Evropës
Besnik Iseni/ RTK
Zvëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar në ditën e dytë të vizitës së tij në Shkup, deklaroi se Maqedonia e Veriut ka qenë partner dhe ndihmë e madhe në misionet e NATO-s dhe SHBA-së dhe si rezultat duan që Maqedoninë ta shohin në Bashkimin Evropian.
“Dua të them se Ballkani Perëndimor është pjesa më premtuese e Evropës. Evropa ka nevojë për ju, Amerika. Për fillimin e ndryshimeve kushtetuese, jemi të emocionuar, pasi duam t’ju shohim në BE. Jam i lumtur që ka nisur si proces dhe shpresoj të vazhdojë”, theksoi ai.
Gabriel Escobar tha se është në Maqedoninë e Veriut për të dhënë të njëjtin mesazh që ka dhënë në të gjithë rajonin, se SHBA i sheh si partnerë natyrorë ata që janë të përkushtuar ndaj integrimit evropian, NATO-s dhe luftës kundër korrupsionit.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ,Dimitar Kovaçevski theksoi se bllokimi dhe anulimi i procesit të anëtarësimit të këtij vendi nga do të ishte i dëmshëm.
"Qytetarët duan integrim dhe jo izolim. Besoj se pas procesit të ndryshimeve kushtetuese, deputetët të inkurajohen dhe të marrin vendim të guximshëm që do të na mundësojë të bëhemi anëtarë të BE-së. Sot nëse ndahemi nga Shqipëria Mali i Zi, Serbia, askush nuk garanton se në çfarë mënyre do të bëhemi anëtare i BE-së. Nuk guxon të mbahen peng interesat e qytetarëve për interesa parazgjedhore", tha ai.
Escobar gjatë vizitës në Shkup është takuar edhe me liderin e opozitës maqedonase,Hristian Mickovski dhe me presidentin Stevo Pendarovski.























