Ukrainë, përplasen dy aeroplanë luftarakë, humbin jetën tre pilotë
Përgatiti: Dardan Ramabaja /RTK
Në një aksident ajror gjatë stërvitjeve, Ukraina ka humbur pilotin e saj më të rëndësishëm së bashku me dy kolegë të tij.
Një nga pilotët luftarakë më të famshëm të Ukrainës dhe dy kolegë të tij janë vrarë në një përplasje në ajër.
Andrii Pilshchykov fitoi famë duke marrë pjesë në luftimet për të mbrojtur Kievin gjatë fazës së hershme të pushtimit rus.
Ushtria ukrainase i quajti vdekjet e pilotëve humbje "të dhimbshme dhe të pariparueshme" duke e lartësuar pilotin Pilshchykov si një pilot me "me njohuri dhe talent të jashtëzakonshëm".
Përplasja ndodhi mes dy aeroplanëve stërvitorë L-39 që fluturonin mbi Ukrainën veriore. Një hetim është duke u zhvilluar nëse rregullat e përgatitjes së fluturimit nuk janë ndjekur saktë, duke rezultuar në aksident në Zhytomyr Oblast. Rajoni është në perëndim të kryeqytetit, Kiev, dhe qindra kilometra larg vijës së frontit.
Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi vdekjet në fjalimin e tij video të natës, duke thënë se vendi i tij "nuk do ta harronte kurrë askënd që mbrojti qiejt e lirë të Ukrainës".
Vdekja e pilotëve janë një shqetësim i madh për Ukrainën, pasi ajo përgatitet të marrë deri në 61 aeroplanë luftarakë F-16 nga aleatët e saj, në një përpjekje për të rritur kundërsulmin ndaj rusisë.
Të enjten, Pentagoni konfirmoi se trajnimi në gjuhën angleze për ukrainasit për operimin e F-16 do të fillonte në Teksas në shtator, dhe me trajnimin e fluturimeve në tetor në Arizona. Ndërkohë, aleatë të tjerë perëndimorë po përgatiten të fillojnë trajnimin e ukrainasve më vonë këtë muaj.























