Biden i zhgënjyer për mospjesëmarrjen e presidentit kinez në Samitin G20
D. Ramabaja / RTK
Presidenti amerikan Joe Biden është shprehur i zhgënjyer me homologun kinez Xi Jingping, pasi ky i fundit ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në samitin G20, i cili mbahet më 9 shtator në Indi.
Presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë se është "i zhgënjyer" që homologu i tij kinez Xi Jinping planifikon të anashkalojë samitin e ardhshëm të G20 në Indi. Kryeministri kinez Li Qiang pritet të përfaqësojë Pekinin në samitin në Nju Delhit këtë javë, raporton Reuters.
"Jam i zhgënjyer... por do të shkoj ta takoj," u tha Biden gazetarëve të dielën, pa specifikuar se kur mund të zhvillohet ai takim.
Të dy liderët u takuan për herë të fundit në samitin në Indonezi vitin e kaluar. Xi kishte thënë më herët se do të udhëtonte në kryeqytetin indian për takimin - por ministria e jashtme e Kinës nuk do ta konfirmonte pjesëmarrjen e tij kur iu kërkua ta bënte këtë në një konferencë të rregullt për media të enjten.
Raportet e lajmeve, duke cituar burime të afërta me organizimin e takimit vjetor, thonë se Xi nuk ka në plan të marrë pjesë në samitin e këtij viti.
Kjo vjen në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Kinës dhe Indisë. Ndër të tjera, të dy vendet po përballen me njëra-tjetrën përgjatë kufirit të tyre të diskutueshëm në rajonin e Himalajeve.
Megjithatë Xi dhe Biden ende kanë një mundësi për të biseduar në nëntor, në një takim mes udhëheqësve të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi Paqësorit në San Francisko.
Mospjesëmarrja e liderit Kinez në samitin G7 vjen në kohën kur lidhjet SHBA-Kinë kanë vazhduar të përkeqësohen vitin e kaluar.
Rreth dy muaj pasi të dy udhëheqësit u takuan në ishullin indonezian të Balit nëntorin e kaluar, një balonë e supozuar spiune kineze në qiellin e SHBA dëmtoi shpresat për një rivendosje në marrëdhëniet dypalëshe.
Të dy vendet nuk pajtohen për një sërë çështjesh, duke përfshirë të drejtat e njeriut në Xinjiang dhe Hong Kong, pretendimet territoriale ndaj Tajvanit dhe Detit të Kinës Jugore dhe dominimin në rritje të Pekinit ndaj një sërë industrish.























