Rusia godet Ukrainën lindore ndërsa Blinken viziton Kievin
BKT
Rajoni dhe Bota

Rusia godet Ukrainën lindore ndërsa Blinken viziton Kievin

Përgatiti: Ardiana Gashi /RTK

Një sulm raketor rus vrau dhjetëra persona në një qytet në Ukrainën lindore, tha presidenti i Ukrainës. Sulmi erdhi disa orë pasi sekretari amerikan i shtetit mbërriti në Kiev në një vizitë të paparalajmëruar.

Dhjetëra persona janë vrarë në një sulm me raketa në qytetin ukrainas Kostyantynivka. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se të vrarët ishin "njerëz që nuk kanë bërë asgjë të keqe" dhe paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet.

Kostyantynivka, në rajonin lindor të Donetskut të Ukrainës, është afër vijës së frontit të fushëbetejës. “Kjo e keqe ruse duhet të mposhtet sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Zelensky. Autoritetet në Moskë ende nuk kanë komentuar mbi sulmin.

Mes 16 të vdekurve është një fëmijë, me 20 të tjerë që mendohet se janë plagosur, sipas informacionit të ndarë nga kryeministri ukrainas Denys Shmyhal. “Të gjitha shërbimet janë duke punuar”, tha ai, duke shtuar se zjarri është nën kontroll.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Kiev në një gjest mbështetjeje ndërsa kundërofensiva e Ukrainës kundër forcave ruse po kalon në muajin e saj të katërt me vetëm fitore të vogla.

Gjatë vizitës së tij dy-ditore, Blinken ka të ngjarë të njoftojë për një paketë të re të ndihmës amerikane me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit gjatë udhëtimit.

Blinken, në vizitën e tij të katërt të përgjithshme, është zyrtari më i lartë i SHBA-së që viziton Kievin që nga fillimi i kundërofensive ukrainase.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota