Ukraina ka kohë 30 ditë përpara se moti të pengojë kundërsulmin e saj
BKT
Foto/BBC
Rajoni dhe Bota

Ukraina ka kohë 30 ditë përpara se moti të pengojë kundërsulmin e saj

Dardan Ramabaja/ RTKlive

Në një intervistë ekskluzive për BBC-në, dy zyrtarët më të lartë ushtarakë të SHBA-së dhe Britanisë, kanë shprehur pikëpamjet e tyre rreth ofensivës së shumë përfolur ukrainase kundër forcave pushtuese ruse.

Në kohë kur ofensiva ukrainase kundër forcave ruse po komentohet në mënyra të ndryshme, Gjenerali amerikan Mark Milley, ka thënë se Ukrainës i kanë mbetur pak më shumë se 30 ditë luftime përpara se moti të pengojë kundërsulmin e saj, pasi kushtet më të ftohta të motit do ta bëjnë shumë më të vështirë për Ukrainën të manovrojë.

Ai pranoi se ofensiva kishte shkuar më ngadalë se sa pritej. Por, sipas tij “ do të ketë ende luftime të ashpra, ku Ukrainasit janë duke bërë përparim të qëndrueshëm."

 “Ka ende një kohë të arsyeshme, ndoshta rreth 30 deri në 45 ditë të motit luftarak, kështu që ukrainasit nuk kanë mbaruar. Ka beteja që nuk janë bërë, ata nuk e kanë përfunduar pjesën luftarake të asaj që po përpiqen të arrijnë”, tha Mark Milley, shef i Shtabit të Përbashkët të SHBA-ve.

Në të njëjtën intervistë, Admirali Sir Tony Radakin, shefi i shtabit të mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, mendon se "Ukraina po fiton kurse Rusia po humbë".

 “Kjo për shkak se qëllimi i Rusisë ishte të nënshtronte Ukrainën dhe ta vendoste atë nën kontrollin e Rusisë, por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë, prandaj, kjo është arsyeja pse Ukraina po fiton”, tha Admirali Sir Antony David Radakin, Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Britanike.

Ai shtoi se Ukraina po bën përparim në betejën e saj për të rimarrë territorin e saj, pasi kishte rikuperuar 50% të tokës së pushtuar nga Rusia.

Kundërofensiva e Kievit, e cila filloi në verë dhe synon të çlirojë territorin e pushtuar nga Rusia në Ukrainë, deri më tani ka shënuar vetëm përparime të vogla.

Por gjeneralët ukrainas pretendojnë se kanë shkelur linjën e parë të frikshme të mbrojtjes së Rusisë në jug.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota