Numri i të vdekurve nga tërmeti në Marok kalon shifrën 2800
Dardan Ramabaja /RTK
Numri i të vdekurve nga tërmeti në Marok ka kaluar shifrën 2800 , ndërsa të mbijetuarit vazhdojnë të qëndrojnë jashtë.
Fshatarët në pjesë të ndryshme Marokut të goditur nga tërmeti më i madh i vendit në më shumë se një shekull fushuan jashtë për natën e katërt të hënën, ndërsa numri i të vdekurve po rritet.
Ekipet e kërkimit nga Spanja, Britania dhe Katari iu bashkuan përpjekjeve marokene për të gjetur të mbijetuar nga tërmeti me magnitudë 6.8 që goditi malet e Atlasit të Lartë të premten vonë, duke rrafshuar shtëpitë tradicionale me tulla balte.
Në fshatin Tinmel, pothuajse çdo shtëpi është shembur ku i gjithë komuniteti ka mbetur pa shtëpi. Era e keqe e vdekjes nga dhjetëra kafshë të groposura nën rrënoja është përhapur nëpër fshat. Pas një përgjigjeje fillestare që u përshkrua si shumë e ngadaltë nga disa të mbijetuar, kampet me tenda u shfaqën në disa vende të hënën në mbrëmje, ndërsa njerëzit kaluan natën e katërt jashtë.
Ushtria tha se po përforconte ekipet e kërkim-shpëtimit, dhe po siguronte ujë të pijshëm dhe ushqim, tenda dhe batanije. Një rrugë kryesore që lidh Malet e Atlasit të Lartë me Marrakech u bllokua të hënën në mbrëmje, ndërsa automjetet e rënda dhe vullnetarët që mbanin ndihma u drejtuan drejt disa prej komuniteteve më të goditura.
Deri më tani Maroku ka pranuar ndihmë nga Spanja dhe Britania, pasi të dyja dërguan specialistë të kërkim-shpëtimit me qen nuhatës. Ndihma kanë shkuar edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.























