UNICEF & BB: Mbi 330 milionë fëmijë në varfëri ekstreme
atsh
Pandemia Covid-19 ka ngadalësuar ndjeshëm luftën kundër varfërisë tek të rinjtë dhe 333 milionë fëmijë ende jetojnë në varfëri ekstreme në të gjithë botën, sipas një raporti nga UNICEF dhe Banka Botërore të publikuar të enjten.
”Një në gjashtë fëmijë në botë jeton me më pak se 2,15 dollarë në ditë”, sipas raportit të agjencisë së OKB-së, i cili thekson se pa ndërprerjet e lidhura me Covid-in, 30 milionë fëmijë duhej të ishin jashtë varfërisë.
”Krizat e përkeqësuara, për shkak të pasojave të Covid-19, konflikteve, ndryshimeve klimatike dhe goditjeve ekonomike, kanë bllokuar progresin dhe kanë lënë miliona fëmijë në varfëri ekstreme”, tha drejtoresha e përgjithshme e UNICEF-it, Catherine Russell.
”Një botë ku 333 milionë fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme – të privuar jo vetëm nga nevojat e tyre themelore, por edhe nga dinjiteti, mundësia apo shpresa – është thjesht e patolerueshme”, shtoi ajo.
Varfëria ekstreme prek madje 40% të fëmijëve në Afrikën Subsahariane, përqindja më e lartë në botë.
Ndryshe nga rajonet e tjera të botës, të cilat të gjitha kanë parë një rënie të varfërisë së fëmijëve në vitet e fundit, Afrika Subsahariane e ka parë atë në rritje, e nxitur nga rritja e shpejtë e popullsisë, Covid-19 dhe fatkeqësitë e lidhura me klimën.
“Ne nuk mund t’i zhgënjejmë këta fëmijë”, tha Luis Felipe Lopez-Calva, drejtor i Bankës Botërore për çështjet e varfërisë dhe barazisë.























