Numri i viktimave në Derna të Libisë, mund të arrijë në njëzet mijë
BKT
Rajoni dhe Bota

Numri i viktimave në Derna të Libisë, mund të arrijë në njëzet mijë

Gjylie Rexha / Radio Kosova

Numri i viktimave nga përmbytjet në Derna të Libisë, mund të arrijë në njëzet mijë, deklaruan udhëheqësit e qytetit të shkatërruar.

Plazhi është i mbushur me këpucë, lodra fëmijësh, mobilje. Rrugët janë të mbuluara me baltë, pemë të rrëzuara e vetura të përmbysura. Të rrethuar nga kjo gjendje, familjarët vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e tyre.

“Humbëm 30 veta nga familja jonë. Nuk kemi gjetur asnjë deri tash”, thotë një i mbijetuar.

Sipas OKB-së rreth dhjetë mijë veta konsiderohen ende të humbur, ndërsa zyrtarët e qytetit paralajmërojnë se numri i viktimave mund të arrijë në njëzet mijë. Ata përballen me kritika të ashpra nga udhëheqësit e qyteteve të tjera, në vendin e konflikteve ndërmjet administrative rivale.

“Ishte e qartë se pendët kanë probleme dhe kanë nevojë për rinovime. Ata zyrtarë janë përgjegjës për të gjitha jetët e humbura”, thotë kryetari i Tripolit, Emed Kalaifa. Vetëm pas stuhisë, u njoftua se dy qeveritë rivale po bashkërendojnë përpjekjet në ofrimin e ndihmave për qytetin Derna.

Dhe, përfaqësuesit e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, i thanë BBC-së se bashkësia ndërkombëtare duhet t’iu përgjigjet thirrjeve të përbashkëta për ndihmë Libisë. Deri tash, në Derna kanë arritur ekipe kërkimi e shpëtimi nga disa vende.

Zyrtarët dhe gazetarët në terren, vlerësojnë se atje janë të nevojshme edhe ekipe të specializuara për gjetjen e trupave të pajetë, sipas tyre, ekziston rreziku i madh nga përhapja e sëmundjeve, për shkak të numrit të madh të kufomave nën gërmadha dhe në ujë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota